top of page

Shkaqet e vajtueshme të luftës dhe detyra e gjithsecilit që të përpiqet për paqen

  • Writer: Fisnik Komoni
    Fisnik Komoni
  • Apr 13, 2021
  • 3 min read

Updated: Apr 15, 2022



Artikull nga libri "Bisedat e Parisit" nga 'Abdu'l-Bahá


'Abdu'l-Bahá-i tha:

Shpresoj që të gjithë të jeni mirë e të gëzuar. Unë nuk jam i gëzuar, por shumë i hidhëruar. Të rejat për luftimet në Bengazi më helmojnë zemrën. Habitem për egërsinë njerëzore që ende ekziston në botë! Si është e mundur që njerëzit të luftojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke vrarë njëri-tjetrin, duke derdhur gjakun e njerëzve të tjerë si ata: dhe për çfarë? Për zotërimin e një copë toke! Edhe kafshët kur ndeshen, kanë një shkak më të ngutshëm e më të arsyeshëm për sulmet e tyre! Sa e tmerrshme është që njerëzit, që i përkasin mbretërisë më të lartë, mund të bien aq poshtë sa të vrasin e t'u shkaktojnë mjerim qenieve të tjera njerëzore për zotërimin e një copë toke!


Më të lartat e qenieve të krijuara luftojnë për të shtënë në dorë formën më të ulët të materies, tokën! Toka nuk i takon një njeriu, por të gjithë njerëzve. Kjo tokë nuk është shtëpia e njeriut, por varri i tij. Njerëzit janë duke luftuar për varret e tyre. Nuk ka asgjë më të tmerrshme në këtë botë sesa varri, banesa e trupave të kalbur të njerëzve.


Sado i madh të jetë pushtuesi, sado vende që të skllavërojë, ai nuk është në gjendje të mbajë ndonjë pjesë të këtyre tokave të shkretuara veç një copëze të vogël-varrit të tij! Në qoftë se për përmirësimin e gjendjes së njerëzve, për përhapjen e qytetërimit (për zëvendësimin e zakoneve të vrazhda me ligje të drejta) kërkohet më shumë tokë-padyshim do të ishte e mundur të bëhej në mënyrë paqësore zgjerimi i nevojshëm i territorit.


Por lufta bëhet për të kënaqur ambicjen e njerëzve; për hir të fitimeve materiale të një pakice, u shkaktohet një mjerim i tmerrshëm shtëpive të panumërta, duke u thyer zemrat qindra burrave e grave!

Sa gra vajtojnë burrat e tyre, sa histori të një egërsie të pashpirt dëgjojmë! Sa fëmijë të vegjël të mbetur jetimë qajnë për Báballarët e vdekur, sa gra ngashërohen për djemtë e tyre të vrarë!

Nuk ka gjë më dëshpëruese e më të tmerrshme sesa shpërthimi i egërsisë njerëzore!

Ju porosis të gjithë ju t'i përqëndroni të gjitha mendimet e zemrës suaj te dashuria e uniteti. Kur të vjen një mendim lufte, kundërviju atij me një mendim më të fortë paqeje. Një mendim urrejtjeje duhet zhdukur me një mendim më të fuqishëm dashurie. Mendimet e luftës sjellin shkatërrimin e çdo harmonie, mirëqenieje, qetësie e kënaqësie.


Mendimet e dashurisë sjellin vëllazërim, paqe, miqësi e lumturi.

Kur ushtarë të botës nxjerrin shpatat për të vrarë, ushtarët e Perëndisë rrokin duart me njëri-tjetrin! Kështu u zhduktë gjithë egërsia e njeriut me anë të Mëshirës së Perëndisë, që vepron përmes të dëlirëve në zemër e të sinqertëve në shpirt. Mos mendoni se paqa e botës është një ideal i pamundur për t'u arritur!


Asgjë nuk është e pamundur për Dashamirësinë Hyjnore të Perëndisë.

Në qoftë se dëshironi me gjithë zemër miqësi me çdo racë mbi tokë, mendimi juaj, shpirtëror e pozitiv, do të përhapet; ai do të bëhet dëshirë e të tjerëve, do të forcohet gjithnjë e më shumë, derisa të arrijë mendjet e të gjithë njerëzve.


Mos u dëshpëroni! Punoni me zell. Sinqeriteti e dashuria do ta mposhtin urrejtjen. Sa ngjarje në dukje të pamundura po ndodhin në këto kohë! I ktheni fytyrat në mënyrë të qëndrueshme ndaj Dritës së Botës. Tregoni dashuri për të gjithë; "Dashuria është fryma e Shpirtit të Shenjtë në zemrën e Njeriut". Kini kurajë! Perëndia kurrë nuk i braktis bijtë e Tij që përpiqen, punojnë e luten! Le të mbushen zemrat tuaja plot dëshirë të zellshme që qetësia dhe harmonia të rrethojnë këtë botë në gjendje lufte. Suksesi do të kurorëzojë përpjekjet tuaja, dhe bashkë me vëllazërimin botëror do të vijë Mbretëria e Perëndisë në paqe e dashamirësi.


Sot në këtë dhomë ka pjesëtarë të shumë racave, francezë, amerikanë, anglezë, gjermanë, italianë, vëllezër e motra që takohen në miqësi e harmoni! Le të jetë ky takim një paralajmërim i asaj që, me të vërtetë, do të ndodhë në këtë botë, kur bijtë e Perëndisë do ta kuptojnë se ata janë gjethe të një peme, lule të një kopshti, pika uji të një oqeani dhe bij e bija të një Ati, emri i të cilit është dashuri!

 

A jeni të interesuar për veten ose fëmijët tuaj në ngjarje dhe aktivitete të tilla si klasat e fëmijëve, grupet më të rinjë dhe grupet studimore për të rritur që kanë për qëllim të ndihmojnë në ndërtimin e një botë më paqësore dhe shpirtërore?

Jeni të ftuar përzemërsisht të merrni pjesë. Klikoni këtu tani për të mësuar më shumë!

 

Fisnik Komoni është “Këshillues për ushqim dhe shëndet të përgjithshëm” i trajnuar dhe çertertifikuar nga Akademia e Mjekësisë Natyrore (AKN - Akademie der Naturheilkunde) në Zvicerr.



Comments


bottom of page