top of page

Etika e pasurisë dhe ndalimi i skllavërisë industriale

  • Writer: Fisnik Komoni
    Fisnik Komoni
  • Sep 11, 2021
  • 4 min read

Pasuritë e fituara me drejtësi e të përdorura me drejtësi janë të ndershme e të lavdërueshme. Shërbimet e bëra duhet të shpërblehen në mënyrë të përshtatshme. Nuk duhet refuzuar t'i paguajmë shpërblimin e duhur çdo njeriu dhe duhet të respektojnë të talentuarit,... Secili duhet të flasë me drejtësi dhe të njohë vlerën e përfitimeve"


Sipas mësimeve Bahá'í, pasuritë e fituara me drejtësi e të përdorura me drejtësi janë të ndershme e të lavdërueshme. Shërbimet e bëra duhet të shpërblehen në mënyrë të përshtatshme. Bahá'u'lláh-u, në Tabelën e Tarázát-it, thotë: "Njerëzit e Bahá-it nuk duhet të refuzojnë t'i paguajnë shpërblimin e duhur çdo njeriu dhe duhet të respektojnë të talentuarit,... Secili duhet të flasë me drejtësi dhe të njohë vlerën e përfitimeve".


Përsa i përket interesit për paranë, Bahá'u'lláh-u, në Tabelën e Ishráqát-it, shkruan si vijon:

Shumica e njerëzve kanë nevojë për këtë; sepse po të mos lejohej interesi, punët (biznesi) do të pengoheshin e do të ndaleshin.... Rrallë gjendet njeri që t'i japë cilitdo të holla hua sipas parimit " Qard-i-hasan" (që fjalë për fjalë do të thotë "hua e mirë", dmth të holla që jepen pa kamatë e që kthehen sipas pëlqimit të huamarrësit). Prandaj, pa u bërë ndonjë favor shërbëtorëve, Ne kemi caktuar që, midis praktikave të tjera të ujdive që përdoren midis njerëzve, të jetë edhe "fitimi nga paratë". Kjo do të thotë se ... interesi mbi të hollat është i lejuar, i ligjshëm e i pastër ... por në këtë gjë duhet vepruar me masë e drejtësi. Penda e Lavdisë nuk ka caktuar kufij në këtë çështje, si shenjë Urtie që vjen nga Prania e Tij dhe duke e konsideruar këtë si më të përshtatshme për shërbëtorët e Vet. U bëjmë thirrje miqve të Perëndisë të veprojnë me ndershmëri e drejtësi dhe në mënyrë të tillë që zemërmirësia e të dashurve të Tij dhe dhembshuria e tyre të mund të manifestohen ndaj njëri-tjetrit....

Zbatimi i këtyre gjërave u është ngarkuar njerëzve të Shtëpisë së Drejtësisë, në mënyrë që ata të veprojnë sipas kërkesave të kohës e me urti.


Ndalimi i skllavërisë industriale

Në Librin e Aqdas-it, Bahá'u'lláh-u e ndalon skllavërinë, dhe 'Abdu'l-Bahá-i e ka sqaruar që jo vetëm skllavëria si plaçkë, por edhe skllavëria industriale është kundër ligjit të Perëndisë.


Kur ndodhej në Shtetet e Bashkuara, më 1912, Ai u tha amerikanëve:


Midis viteve 1860 e 1865, ju bëtë një gjë të mahnitshme; ju hoqët skllavërinë sociale; por sot ju duhet të bëni një gjë edhe më të mrekullueshme: duhet të hiqni skllavërinë industriale....

Zgjidhja e çështjeve ekonomike nuk do të arrihet duke vënë kapitalin kundër punës dhe punën kundër kapitalit, në grindje e konflikt midis tyre, por me një qëndrim të vetëdijshëm të vullnetit të mirë nga të dyja palët. Kështu do të sigurohen kushte drejtësie të vërtetë e të qëndrueshme ....

Midis Bahá'í-ve nuk ka praktika grabitqare, lakmitare, të padrejta, as kërkesa rebele, as kryengritje revolucionare kundër qeverive ekzistuese....


Në të ardhmen nuk do të jetë e mundur që njerëzit të grumbullojnë pasuri të mëdha me punën e të tjerëve. Të pasurit do të ndajnë vullnetarisht pasurinë. Natyrisht, ata do t'ia arrijnë kësaj gradualisht, me dashjen e tyre. Kjo kurrë nuk do të shoqërohet me luftë e gjakderdhje.

Me konsultim e kooperim miqësor, me bashkëpjesëmarrje e ndarje të drejtë të fitimeve do t'u shërbehet më mirë interesave si të kapitalit dhe të punës. Armët e ashpra të grevës e të lokautit 28 janë të dëmshme jo vetëm për ato degë të prodhimit që preken drejtpërsëdrejti, por edhe për komunitetin në përgjithësi. Prandaj qeveritë e kanë për detyrë të gjejnë mjetet për të parandaluar përdorimin e këtyre metodave barbare të zgjidhjes së kundërshtive.


'Abdu'l-Bahá-i ka thënë në Dublin, Nju Hempshër [New Hampshire], më 1912:


Në pajtim me ligjin hyjnor, të punësuarit nuk duhet të paguhen thjesht me rrogë. Jo, përkundrazi do të duhej që ata të ishin partnerë në çdo punë. Çështja e shoqërizimit është diçka shumë e vështirë. Ajo nuk do të zgjidhet me greva për pagat. Të gjitha qeveritë e botës duhet të jenë të bashkuara dhe të organizojnë një kuvend, anëtarët e të cilit të zgjidhen nga parlamentet e nga radhët e fisnikëve të kombeve. Këta duhet të planifikojnë me urti e pushtet, në mënyrë që as kapitalistët të mos pësojnë humbje shumë të mëdha dhe as punëtorët të mos bëhen nevojtarë. Do të duhej që, me moderimin më të madh, ata të bënin ligjin dhe pastaj të njoftonin publikun se të drejtat e punonjësve do të mbrohen efektivisht, se edhe të drejtat e kapitalistëve gjithashtu do të mbrohen. Kur një ligj i tillë i përgjithshëm të jetë pranuar me vullnetin e të dyja palëve, në rast se do të ndodhte ndonjë grevë të gjitha qeveritë e botës do ta kundërshtonin atë kolektivisht. Ndryshe puna do të çonte në shkatërrim të madh, sidomos në Evropë. Gjëra të tmerrshme do të ndodhnin.


Një prej shkaqeve të ndryshme të një lufte të përgjithshme evropiane do të jetë kjo çështje.


Zotëruesit e pronave, të minierave e të fabrikave do të duhej të ndanin të ardhurat e veta me punëtorët e tyre dhe t'u jepnin këtyre një përqindje të caktuar të përshtatshme të fitimeve të veta, në mënyrë që punëtorët, veç pagës, të merrnin diçka nga të ardhurat e përgjithshme të fabrikës, ekështu punëtori të punonte me gjithë shpirt.

 

Nga Libri: Bahá'u'lláh-U DHE EPOKA E RE - J.E. Esslemont

Commentaires


bottom of page