top of page

11 parimet për të mirën e njerëzve dhe botës

  • Writer: Fisnik Komoni
    Fisnik Komoni
  • Apr 19, 2022
  • 8 min read

Updated: Jun 5, 2022




Tekst nga libri: 'Abdu'l-Bahá : Bisedat e Parisit; Fjalime të mbajtura nga 'Abdu'l-Bahá-i në vitin 1911


SHOQATA TEOZOFIKE, PARIS

4 Avenue de Camoëns, Paris,

Që kur arrita në Paris, më kanë folur për Shoqatën Teofizike dhe unë e di se ajo përbëhet prej njerëzish të nderuar e të respektuar. Ju jeni njerëz të intelektit e të mendimit, njerëz me ideale shpirtërore dhe është një kënaqësi e madhe për mua të ndodhem midis jush.


Le të falënderojmë Perëndinë që na ka mbledhur së bashku këtë mbrëmje. Kjo më jep një gëzim të madh, sepse unë e shoh që ju jeni kërkues të së vërtetës. Ju nuk jeni të lidhur me zinxhirët e paragjykimit dhe dëshira juaj më e madhe është të njihni të vërtetën. E vërteta mund të krahasohet me diellin! Dielli është trupi ndriçues që shpërndan të gjitha hijet; po kështu e vërteta arratis hijet e imagjinatës sonë. Ashtu si dielli i jep jetë trupit të njerëzve, po kështu e vërteta u jep jetë shpirtrave të tyre. E vërteta është një diell që del nga pika të ndryshme në horizont.


Disa herë dielli del nga qendra e horizontit, pastaj në verë ai del më tej në veri, në dimër më tej në jug, por është gjithmonë i njëjti diell, sado të ndryshme janë pikat e daljes së tij.


Po kështu e vërteta është një e vetme, edhe pse manifestimet e saj mund të jenë shumë të ndryshme. Disa njerëz kanë sy dhe shohin. Këta adhurojnë diellin, pavarësisht nga ç'pikë e horizontit mund të agojë ai; dhe kur dielli ka lënë qiellin dimëror për t'u shfaqur në atë veror, ata dinë si ta gjejnë atë përsëri. Ka të tjerë që adhurojnë vetëm vendin nga i cili del dielli, dhe kur ai del në madhështinë e tij nga një vend tjetër ata mbeten në soditje para vendit të daljes së mëparshme të tij. Mjerisht, këta njerëz janë të privuar nga të mirat e diellit. Ata që në të vërtetë adhurojnë vetë diellin do ta njohin atë nga çdo vend-agim që ai të shfaqet dhe aty për aty do t'i kthejnë fytyrat drejt dritës së tij.


Ne duhet të adhurojmë vetë diellin dhe jo thjesht vendin e shfaqjes së tij. Po kështu njerëzit me zemër të ndriçuar adhurojnë të vërtetën në çdo horizont që ajo të shfaqet. Ata nuk janë të lidhur pas personalitetit, por ndjekin të vërtetën dhe janë në gjendje ta njohin atë pavarësisht se nga mund të vijë ajo. Është kjo e vërtetë që e ndihmon njerëzimin të përparojë, që u jep jetë të gjitha gjërave të krijuara, sepse ajo është Pema e Jetës!


Në mësimet e Tij, Bahá'u'lláh-u na jep shpjegimin e së vërtetës, dhe unë dua t'ju flas shkurtimisht për këtë, sepse e shoh që ju jeni të aftë të kuptoni.


11 parimet e Bahá'u'lláh-ut:


I. Kërkimi i së vërtetës II. Uniteti i njerëzimit III. Feja duhet të sjellë dashuri e miqësi IV. Uniteti i fesë dhe shkencës V. Paragjykimet e fesë, të racës ose të sektit shkatërrojnë themelet e njerëzimit VI. Mundësi të barabarta për mjetet e jetesës VII. Barazia e njerëzve-barazi para ligjit VIII. Paqja universale - Esperanto IX. Feja nuk duhet të përziehet në çështje politike X. Edukimi dhe shkollimi i grave XI. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë, vetëm me anën e të cilit arrihet zhvillimi shpirtëror


Parimi i parë i Bahá'u'lláh-ut është: Kërkimi i së vërtetës

Njeriu duhet ta çlirojë veten nga çdo paragjykim e nga rezultati i imagjinatës së vet, në mënyrë që të jetë në gjendje të kërkojë pa pengesë të vërtetën. E vërteta është një e vetme në të gjitha fetë dhe me anë të saj mund të arrihet uniteti i botës.


Të gjithë popujt kanë një besim themelor të përbashkët. Duke qenë një e vetme, e vërteta nuk mund të ndahet dhe dallimet që duket se ekzistojnë midis kombeve janë vetëm rezultat i lidhjes së tyre me paragjykimin. Mjafton që njerëzit vetëm të kërkonin të vërtetën, ata do ta shihnin veten të bashkuar.


Parimi i dytë i Bahá'u'lláh-ut është: Uniteti i njerëzimit

Perëndia i vetëm dashuriplotë i dhuron Hirin e Favorin e Tij hyjnor gjithë njerëzimit; të gjithë pa përjashtim janë shërbëtorë të Më të Lartit dhe Mirësia, Mëshira e Dashamirësia e Tij reshin mbi të gjitha krijesat e Tij. Lavdia e njerëzisë është trashëgim i gjithsecilit.


Të gjithë njerëzit janë gjethe e fruta të së njëjtës pemë, ata janë të gjithë degë të pemës së Adamit, ata kanë të gjithë të njëjtën prejardhje. I njëjti shi ka rënë mbi ta, i njëjti diell i ngrohtë i rrit ata, të gjithë ata i freskon i njëjti fllad. Të vetmet dallime që ekzistojnë e që i mbajnë ata të veçuar janë këto: janë fëmijët që kanë nevojë për udhëheqje, të paditurit që duhen shkolluar, të sëmurët që kanë nevojë për kujdes e shërim; pra, unë them se mbarë njerëzimi është i mbështjellë nga Mëshira e Hiri i Perëndisë. Siç na thonë Shkrimet e Shenjta: Të gjithë njerëzit janë të barabartë para Perëndisë. Ai nuk vë re personat.


Parimi i tretë i Bahá'u'lláh-ut është: Feja duhet të sjellë dashuri e miqësi

Feja duhet të bashkojë të gjitha zemrat dhe të bëjë që luftërat e grindjet të zhduken nga faqja e dheut, të lindë frymën shpirtërore dhe t'i sjellë jetë e dritë çdo zemre. Në qoftë se feja bëhet shkak antipatie, urrejtjeje e ndarjeje, do të ishte më mirë pa të dhe largimi nga një fe e tillë do të ishte një veprim i vërtetë fetar. Sepse është e qartë që qëllimi i një ilaçi është të shërojë; por në qoftë se ilaçi vetëm do ta rëndonte sëmundjen do të ishte më mirë të hiqej dorë prej tij. Çdo fe që nuk sjell dashuri e unitet nuk është fe. Të gjithë profetët e shenjtë kanë qenë si mjekë të shpirtit; ata jepnin receta për shërimin e njerëzimit; kështu çdo ilaç që shkakton sëmundje nuk vjen nga Mjeku i madh e suprem.


Parimi i katërt i Bahá'u'lláh-ut është: Uniteti i fesë dhe shkencës

Ne mund ta mendojmë shkencën si një krah dhe fenë si një tjetër; zogu ka nevojë për dy krahë që të fluturojë, një i vetëm do të ishte i padobishëm. Çdo fe që kundërshton shkencën ose që i kundërvihet asaj është vetëm injorancë, sepse injoranca është e kundërta e dijes.

Një fe që konsiston vetëm në rite e ceremoni të paragjykimit nuk është e vërteta. Le të përpiqemi vendosmërisht të jemi mjete të bashkimit të fesë dhe shkencës.


'Aliu, dhëndri i Muhametit, ka thënë: 'Ajo që është në pajtim me shkencën është gjithashtu në pajtim me fenë'. Çdo gjë që inteligjenca e njeriut nuk mund ta kuptojë, feja nuk duhet ta pranojë. Feja dhe shkenca ecin dorë për dore dhe çdo fe e kundërt me shkencën nuk është e vërteta.


Parimi i pestë i Bahá'u'lláh-ut është: Paragjykimet e fesë, të racës ose të sektit shkatërrojnë themelet e njerëzimit

Të gjitha ndarjet në botë, urrejtja, lufta dhe gjakderdhja shkaktohen nga njëri ose tjetri prej këtyre paragjykimeve.


Gjithë bota duhet parë si një vend i vetëm, të gjitha kombet si një komb, të gjithë njerëzit si pjesëtarë të një race. Fetë, racat dhe kombet janë të gjitha ndarje të bëra vetëm nga njeriu dhe të nevojshme vetëm në mendimin e tij; para Perëndisë nuk ka persë, arabë, francezë ose anglezë; Perëndia është Perëndi për të gjithë dhe për Atë gjithë krijimi është një. Ne duhet t'i bindemi Perëndisë dhe të përpiqemi ta ndjekim Atë duke hequr dorë nga të gjitha paragjykimet e duke sjellë paqen mbi tokë.


Parimi i gjashtë i Bahá'u'lláh-ut është: Mundësi të barabarta për mjetet e jetesës

Çdo qenie njerëzore ka të drejtën për të jetuar, ka të drejtën për pushim dhe për një masë mirëqenieje. Ashtu si një njeri i pasur jeton në pallatin e tij i rrethuar nga luksi e komoditeti më i madh, po kështu një njeri i varfër duhet të ketë gjërat e nevojshme për jetesë. Askush nuk duhet të vdesë nga uria; secili duhet të ketë veshje të mjaftueshme; asnjeri nuk duhet të jetojë në tepri, ndërsa një tjetër nuk ka mjetet e nevojshme të jetesës.


Le të përpiqemi me të gjitha forcat të krijojmë kushte më fatlume, në mënyrë që asnjë shpirt i vetëm të mos jetë në skamje.


Parimi i shtatë i Bahá'u'lláh-ut është: Barazia e njerëzve-barazi para ligjit

Ligji duhet të mbretërojë dhe jo individi; kështu bota do të bëhet një vend bukurie dhe do të realizohet vëllazëria e vërtetë. Duke arritur solidaritetin, njerëzit do të gjejnë të vërtetën.


Parimi i tetë i Bahá'u'lláh-ut është: Paqja universale

Një Gjykatë Supreme do të zgjidhet nga popujt dhe qeveritë e çdo kombi, ku anëtarë nga çdo vend e qeveri do të mblidhen në unitet. Të gjitha konfliktet do të sillen para kësaj Gjykate, misioni i së cilës do të jetë të parandalojë luftën.


Parimi i nëntë i Bahá'u'lláh-ut është: Feja nuk duhet të përziehet në çështje politike

Feja merret me gjërat e shpirtit, kurse politika me gjërat e kësaj bote. Feja duhet të punojë me botën e mendimit, ndërsa fusha e politikës ka të bëjë me botën e kushteve të jashtme.


Është punë e klerit të edukojë njerëzit, t'i udhëzojë ata, t'u japë atyre këshilla të mira dhe t'i mësojë që ata të përparojnë shpirtërisht. Kleri nuk ka të bëjnë fare me çështje politike.


Parimi i dhjetë i Bahá'u'lláh-ut është: Edukimi dhe shkollimi i grave

Gratë kanë të drejta të barabarta me burrat mbi tokë; në fe e në shoqëri ato janë një element shumë i rëndësishëm. Sakohë gratë ndalohen të arrijnë mundësitë e tyre më të larta, për aq kohë burrat nuk do të jenë në gjemdje të arrijnë madhështinë që mund të kishin.


Parimi i njëmbëdhjetë i Bahá'u'lláh-ut është: Fuqia e Shpirtit të Shenjtë, vetëm me anën e të cilit arrihet zhvillimi shpirtëror

Vetëm me fryrjen e Shpirtit të Shenjtë mund të kryhet zhvillimi shpirtëror. Pavarësisht sesi mund të përparojë bota materiale, pavarësisht se me sa shkëlqim mund ta stolisë vetveten, ajo kurrë nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse një trup pa jetë po nuk qe brenda saj shpirti, sepse është shpirti që i jep jetë trupit; vetëm trupi nuk ka rëndësi të vërtetë. I lënë pa bekimet e Shpirtit të Shenjtë, trupi material do të ishte i plogët.


Këtu janë shpjeguar shkurtimisht disa prej parimeve të Bahá'u'lláh-ut.


Me pak fjalë, na takon neve të jemi dashurues të së vërtetës. Le ta kërkojmë atë në çdo stinë e në çdo vend, duke u treguar të kujdesshëm që të mos e lidhim vetveten me personalitete. Ta shohim dritën kudo që ajo shkëlqen dhe të jemi në gjendje ta njohim dritën e së vërtetës pavarësisht se nga mund të dalë ajo. Le të thithim aromën e trëndafilit nga mesi i gjembave që e rrethojnë atë; le të pimë ujin e rrjedhshëm nga çdo burim i kulluar.


Që kur erdha në Paris, më është dhënë një lënaqësi e madhe që kam takuar parizianë të tillë si ju, sepse, lëvduar qoftë Perëndia, ju jeni inteligjentë, pa paragjykime dhe keni dëshirë të madhe të njihni të vërtetën. Ju keni në zemrat tuaja dashurinë për njerëzimin dhe, me aq sa keni mundësi, angazhoheni në kauzën e punës bamirëse e për të sjellë unitetin; kjo është pikërisht ajo që dëshironte Bahá'u'lláh-u.


Kjo është arsyeja që unë jam i lumtur që ndodhem midis jush, dhe unë lutem që ju të jeni bartës të Bekimeve të Perëndisë dhe mjete të përhapjes së frymës shpirtërore në mbarë këtë vend.


Ju keni tani një qytetërim material të mahnitshëm dhe po kështu do të jetë qytetërimi juaj shpirtëror.


Zoti Blek [Bleck] falënderoi 'Abdu'l-Bahá-in dhe Ai u përgjigj:

'Ju jam shumë mirënjohës për ndjenjat e përzemërta që ju sapo shprehët. Shpresoj se këto dy lëvizje do të përhapen së shpejti anembanë tokës. Atëherë uniteti i njerëzimit do të ngrejë tendën e tij mu në qendër të botës'.


11 parimet e Bahá'u'lláh-ut të shpjeguara më në detaje:


 

A jeni të interesuar për veten ose fëmijët tuaj në ngjarje dhe aktivitete të tilla si klasat e fëmijëve, grupet më të rinjë dhe grupet studimore për të rritur që kanë për qëllim të ndihmojnë në ndërtimin e një botë më paqësore dhe shpirtërore?

Jeni të ftuar përzemërsisht të merrni pjesë. Klikoni këtu tani për të mësuar më shumë!

 

Fisnik Komoni është “Këshillues për ushqim dhe shëndet të përgjithshëm” i trajnuar dhe çertertifikuar nga Akademia e Mjekësisë Natyrore (AKN - Akademie der Naturheilkunde) në Zvicerr.



Comments


bottom of page